Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar sot në një komunikatë për media, se gjatë pesë ditëve të ardhme, moti në Kosovë do të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të ngritur atmosferik. Në këto kushte, sipas këtij Instituti, do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.
“Vranësirat të mërkurën kanë mundësi që nëpër territore të caktuara të shoqërohen me riga lokale shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri në 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 6-11 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1-6m/s”, thuhet në njoftimin e Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Krahasuar me vitin e kaluar që vjeshta e vonë ishte shumë e ftohtë, sivjet nëntori dhe gjysma e dhjetorit ka kaluar me mot të qëndrueshëm.