Komisioni për Shëndetësi e ka kritikuar punën e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Mjekësore. Gjatë raportimit para këtij komisioni, kryeshefi i AKPPM-së, Jeton Shala, është pyetur për dyshimet rreth cilësisë së insulinës, si dhe të produkteve të tjera.
Deputetët e pozitës dhe opozitës kanë ngritur dyshime se qytetarët kosovarë konsumojnë barna pa cilësi. Kryeshefi Shala ka thënë se insulina që përdoret është produkt similar dhe se është i njëjtë me insulinën humane që është kontraktuar nga MSH-ja para dy vjetësh.
“Ne e kemi dërguar në laborator në Kroaci dhe verdikti ka qenë që bari ka cilësi”, ka thënë Shala.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë që falsifikimi i barnave viteve të fundit është rritur shumë. Ai për këto raste ka thënë se janë parashkruar në gjykatë për shkak se falsifikimi i barnave në Kosovë dënohet maksimumi deri në tre vjet.