Gjykata Themelore e Gjakovës e ka shpallur aktvendimin, me të cilin ka dënuar me dy vjet burgim të akuzuarin për shkelje të detyrimeve familjare, Hilmi Zeka, ish-bashkëshortin e Antigona Morinës, e cila vdiq nga hemoragjia pas martesës.
Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e pati kthyer këtë rast në rigjykim pas ankesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme të grave. Me vendimin e Gjykatës nuk është e kënaqur familja e të ndjerës Morina.
Por avokatja e familjes, Feije Gashi-Bytyqi, ka thënë se ‘drejtësia vonon, por nuk gabon’.
“Ky vendim meritor zgjon vëmendjen shoqërore se ndaj gruas nuk mund të sillesh si pronar, por si partner i ndërgjegjshëm, përndryshe ligji të ndëshkon”, ka thënë avokatja.
Hilmi Zeka nuk e kishte dërguar te mjeku të ndjerën, kur ajo pësoi hemorragji, por atë e kishte dërguar te Shehu. Pavarësisht gjendjes së rënduar, është konstatuar se ai vazhdonte marrëdhëniet seksuale me të.