Po shpeshtohen sulmet me motive politike të qendrave për strehim të azilkërkuesve në Gjermani dhe sidomos në pjesën lindore të vendit (ish DDR).
Vetëm në natën mes të premtes dhe të shtunës janë shënuar dy sulme të tilla, njëri në Dresden dhe tjetri në Chemnitz. Në një qendër të re azili në Chemnitz ekstremistë djathtistë kanë sulmuar fizikisht disa persona që përkrahin refugjatët dhe angazhohen për ta. Me këtë rast ata u kanë shkaktuar lëndime të lehta dyve prej tyre, njofton drejtoria e policisë në Chemnitz.
Ndërkaq, në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës është sulmuar ndërtesa e një kishe e cila kishte strehuar azilkërkues. Sulmuesit kanë hedhur një numër dërrasash në ndërtesë me ç`rast ka pësuar lëndime një grua.
Policia ka arrestuar një person 34 vjeçar të dyshuar për sulmin e bërë.