Futbollistët shqiptarë vazhdojnë të shkëlqejnë në Kampionatin italian, madje dita-ditës rritet numri i tyre në Itali, raporton albinfo.ch.
Shaqir Tafa dhe Emanuele Ndoj janë dy shqiptarët që “Corriere dello Sport” i ka përfshirë mes 100 talenteve që po rriten në futbollin italian.
Përzgjedhja nga e përditshmja sportive prestigjioze është bërë duke u bazuar te lojtarët që aktivizohen në ekipet italiane ose që stërviten në akademitë e tyre.
Qendërmbrojtës i Palermos, Shaqir Tafa, edhe pse i lindur në Itali, zgjodhi të përfaqësojë ngjyrat kuqezi. Pas grumbullimit me Kombëtaren e 19-vjeçarëve, tashmë 18-vjeçari është kandidat i fortë për një vend në skuadrën “Shpresa”.
Në Itali ka lindur edhe mesfushori Emanuele Ndoj, i cili, nga akademia e Romës u transferua te Brescia ku ka luajtur 11 ndeshje në Serinë B këtë sezon. Pas paraqitjeve me përfaqësueset U-17 dhe U-19 kuqezi, 19-vjeçari synon të kthehet në protagonist edhe në ekipin “Shpresa”.