Policia në Göttingen me një angazhim të madh të forcave të veta ka provuar sot të dëbojë dy familje rome kosovare, por më kot. Të dy familjet me gjithsej 4 të rritur dhe 13 fëmije, jetonin në Gjermani prej 17 vitesh, shkruan ndr.de. Me rastin e kontrollimit të bërë sot në mëngjes në ndërtesën ku banonin, policia nuk ka gjetur asnjërin prej tyre. Duket se ata, duke e ditur se po ndiqen për t`u dëbuar, janë hedhur në ilegalitet.
Gjykata e Lartë Administrative e Landit Niedersachsen e kishte hedhur poshtë javën e kaluar ankesën e familjeve kundër dëbimit, transmeton albinfo.ch. Dy familjet e përmendura prej disa vitesh kanë qenë me statusin «duldung» të dhënë nga qyteti Göttingen. Ata nuk janë në procedurë azili ndërsa dy kërkesa për lejen e qëndrimit të bëra komisionit për raste të rënda u janë hedhur poshtë.
Pas kalimit të afatit të «Duldung»-ut, gjykata e Göttingen-it në dhjetorin e vitit të kaluar kishte hedhur poshtë ankesën e familjeve kundër riatdhesimit. Gjyqtarët këtë vendim e kishin arsyetuar me mangësinë e përpjekjeve për integrim të familjeve të përmendura.
Për t`i siguruar familjes qëndrimin në Gjermani kanë treguar angazhim të madh organizata të ndryshme humanitare dhe parti gjermane, përcjell albinfo.ch. Ndërsa të premten me këtë rast është marrë edhe Asambleja e qytetit, me ç`rast tri parti: E gjerlbra, Partia e Piratëve dhe ajo e Majtë kanë kërkuar që familjeve t`u jepet edhe njëherë «duldung»-u.