Ylli i futbollit shqiptar, Xherdan Shaqiri po vazhdon të shkëlqejë në kampionatin zviceran.
Në derbin e zhvilluar të mërkurën mbrëma, mes Baselit dhe Zurichut, ai u bë protagonist kryesor duke regjistruar dy asistime në fitoren 2:0 të skuadrës së tij, transmeton albinfo.ch.
Ndeshja u zhvillua në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës së Zvicrës, ku Baseli konfirmoi formën e mirë të javëve të fundit. Me këtë triumf, skuadra e Shaqirit ngjitet në vendin e tretë me 21 pikë, ndërsa Zurichu mbetet me 13 pikë në renditje.
Shaqiri u aktivizua deri në minutën e 89-të, duke dhënë një tjetër paraqitje të nivelit të lartë dhe duke e çuar bilancin personal në pesë gola dhe shtatë asistime këtë sezon.
Nga ana tjetër, Albian Ajeti u zëvendësua pas pjesës së parë, ndërsa te Zurichu Lindrit Kamberi u largua nga loja në minutën e 89-të. Në 20 minutat e fundit, në fushë u aktivizua edhe Bledian Krasniqi, i cili solli energji në mesfushë për skuadrën mysafire.