Një vajzë 15 vjeçe afgane ka kërcyer nga dritarja e dhomës ku banonte në një qendër azili në Zweisimmen të Kantonit të Bernës, shkruajnë mediat zvicerane.
Kjo ka ndodhur sot, rreth orës 06.45, ndërsa familja e vajzës po i mblidhte gjësendet për të lëshuar Zvicrën duke përmbushur detyrimin nga Marrëveshja e Dublinit, pas përgjigjes negative që i ishte dhënë kërkesës së saj për azil, transmeton albinfo.ch. Papritmas vajza kishte hapur dritaren dhe kishte kërcyer nga kati i parë, nga lartësia prej disa metrash, me ç`rast kishte pësuar lëndime.
Sipas Policisë Kantonale të Bernës, vajza është dërguar me ambulancë në spital ku po trajtohet.
Policët kantonalë ishin në vendin e ngjarjes, të ngarkuar nga Zyra për Migracion. Rasti pritet të sqarohet më tutje.
Njëherë për një herë, autoritetet kanë pezulluar vendimin për dëbim të familjes afgane.