Në spitalin Lindenhof të Bernës është gjetur sot foshnja e parë e porsalindur e cila është lënë në të ashtuquajturën “dritare për foshnja” (babyfenster). Një “dritare” e tillë është vendosur në murin e jashtëm të spitalit dhe funksioni i saj është që, nënat të cilat nuk kanë mundësi t`i mbajnë fëmijët e porsalindur t`i vendosin aty në mënyrë anonime.
Pastaj foshnjat në fjalë i merr nën përkujdesje personeli i spitalit, i cili alarmohet automatikisht tre minuta pas vendosjes së foshnjës aty.
Foshnja është e gjinisë femërore, ka lindur pak ditë më parë dhe është në gjendje të mirë shëndetësore, njofton spitali i përmendur i Bernës. Autoritetet e spitalit ndërkaq i bëjnë thirrje nënës së panjohur që të paraqitet në mënyrë që të gjendet një zgjidhje sa më e mirë për foshnjën.
“Dritarja për foshnja” në Bernë është së paku e katërta në gjithë Zvicrën, ndërsa e para është vendosur që në vitin 2001 në Einsiedeln, ku deri më tash janë vendosur gjithsej tetë foshnja.