Kryeministri Zoran Zaev dha dorëheqje mbrëmë pas rezultateve dëshpëruese të partisë së tij, LSDM, në zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut.
Zaev njoftoi tërheqjen jo vetëm nga posti i kryeministrit, por edhe nga kreu i kësaj partie.
“E marr përgjegjësinë mbi vete për këtë zhvillim të ngjarjeve politike, marrë parasysh rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Jap dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së”, tha ai.
Megjithatë dorëheqja e Zaevit deri në këtë moment është vetëm e paralajmëruar, por nuk është dorëzuar zyrtarisht në Kuvend, siç e kërkon procedura.
Në momentin e zyrtarizmit, dorëheqja e Zaevit do të thotë edhe dorëheqje e gjithë Qeverisë, duke u referuar te Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut.
“Dorëheqja e kryetarit të Qeverisë, vdekja e tij ose pengimi i përhershëm i tij në kryerjen e detyrës, sjell dorëheqjen e Qeverisë”, shkruan në Kushtetutë.
Në raste të tilla, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, deputetët vetëm konstatojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe si rrjedhojë, Qeverisë.
Më pas kryetari i Kuvendit njofton Presidentin e shtetit për dorëheqjen e Qeverisë. Presidenti brenda 10 ditësh duhet të caktojë mandatar të ri për formimin e Qeverisë, të propozuar nga partia ose partitë që kanë shumicë në Kuvend.
Mandatari i ri do të ketë 20 ditë për të dorëzuar në Kuvend propozimin për Qeverinë e re.
Është e paqartë nëse LSDM do të arrijnë të ruajnë shumicën e brishtë prej 62 deputetësh në Kuvendin e RMV-së, shkruajnë mediat maqedonase, përcjell albinfo.ch.