Dogana e Kosovës njoftoi të premten se për herë të parë ka arritur të kalojë 500 milionë euro të hyra në këtë periudhë të vitit.
Siç bëhet e ditur në njoftim, kjo shifër paraqet një rekord të ri, pasi që nga themelimi i Doganës të hyrat në këtë periudhë të vitit kanë tejkaluar shumën e mbledhur prej gjysmë miliardi.
“Krahasimi me vitin e kaluar tregon që Dogana ka mbledhur deri më 19 maj 500,1 milionë euro derisa vitin e kaluar të njëjtën periudhë ne kishim mbledhur 434,4,milionë euro, respektivisht shprehur në përqindje 15% më shumë, apo 66 milionë euro më shumë”, thuhet në komunikatën për media.
“Gjithashtu edhe në krahasimi me projeksionin buxhetor të mbledhjes së të hyrave për vitin 2022 dogana e ka tejkaluar me 6.11% më shumë. Trendi pozitiv që dogana kishte gjatë vitit 2021 ka vazhduar edhe gjatë vitit 2022”.