Dogana e Kosovës ka publikuar tri vula të reja, të cilat do të përdoren në portin e Durrësit.
Ky pikëkalim kufitar do të këtë vulën për anije, kontejnerë dhe traget. Kosova të martën e ka hapur pikën e saj doganore në Durrës.
Projekti që kishte filluar në vitin 2016, pritet t’i lehtësojë procedurat e deklarimit në doganë dhe të shkurtojë kohën e kryerjes së tyre.
Në cilësinë e koordinatorit të marrëveshjeve ndërmjet dy qeverive, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, tha se ky është projekti i dytë më i madh që prej shpalljes së pavarësisë.
Hapja e pikës doganore të Kosovës në portin e Durrësit pritet të lehtësojë tregtinë dhe lëvizjen e mallrave, po ashtu edhe atë të udhëtarëve. Megjithëse nga kjo e martë zyra u deklarua e hapur, puna në këtë pikë nuk ka nisur ende.