Skip to content

Do të hapim qendra kulturore në diasporë, thotë Makolli

Jemi në fazën përfundimtare për të hapur Qendrën Kulturore të Kosovës në Turqi. Për vitin 2012 parashihet edhe hapja e dy të tjerave

 

 

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli ka thënë se hapja e Qendrave Kulturore të Kosovës në diasporë mbetet prioritet i kësaj Ministrie për 2012-shin.

 

“Tash jemi në fazën përfundimtare të marrëveshjes me Turqinë për të hapur Qendrën Kulturore të Kosovës në Turqi. Ndërkaq, për vitin 2012, po ashtu, parashihet edhe hapja, ose fillimi i procedurave për hapjen e dy qendrave të tjera kulturore që i bien tre gjithsej në këtë fazë të parë”, ka deklaruar Makolli.

Makolli në konferencën e fundvitit, ka prezantuar punën dhe të arriturat e kësaj ministrie gjatë këtij viti.

 

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka theksuar se mësimi plotësues në gjuhën amtare në diasporë mbetet prioritetet kryesore i Ministrisë së Diasporës dhe për vitin e ardhshëm, duke e konsideruar si element kryesor të ruajtjes së identitetit.

“Në bashkëveprim edhe me Ministrinë e Arsimit, po ndërmarrim veprime përmes së cilave do të merret nën përkujdesje nga ana e shtetit mësimi plotësues në diasporë”, ka deklaruar Makolli.

Gjithashtu Ministri Makolli, ka thënë se orientimi i kapitalit ekonomik mbetet një prej prioriteteve kryesore të Ministrisë se Diasporës.