Disa persona kanë protestuar para selisë së FFK-së, duke kundërshtuar logon e re të Federatës. ‘O dhondërr, u banëm horë’, ishte parulla me të cilën protestuesit kërkuan ndryshim të logos.
Protestuesve arsye u kanë dhënë sekretari i FFK-së, Eroll Salihu dhe nënkryetari Agim Ademi. Salihu ka thënë se ndryshimi i logos së FFK-së mund të ndodhë tek pas dy vjetësh dhe se tani është vonë të bëhet diçka.
Salihu mes tjerash e justifikoi logon, duke thënë që kërkesat e FIFA-s dhe UEFA-s kanë qenë që të modernizohet logoja, ndërkaq pohon të mos kenë pasur ndjenjë se ka qenë një konflikt interesi fakti që fituesi i tenderit është dhëndër i drejtoreshës së FFK-së për Marketing, Diturie Hoxha.
Logoja është kundërshtuar nga tifozët dhe dizajnerët e shumtë, duke e quajtur atë jo estetike dhe të padenjë për ta përfaqësuar futbollin kosovar.