Për herë të parë që nga 14 Mars, në kantonin jugor të Zvicrës, në Ticino nuk është raportuar asnjë vdekje e re nga Covid-19. Infeksionet e reja të konfirmuara me koronavirus gjithashtu kanë rënë ndjeshëm: Vetëm 3 njerëz në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitivë në testimet e bëra për virusin në këtë kanton, shkruan sda.ch
Mëngjesi i të hënës ishte dyfish pozitiv për banorët e Ticino: pas më shumë se tetë javësh ata më në fund mund të pinë përsëri kafenë e tyre në bar, ashtu si dhe të gjithë zviceranët, transmeton albinfo.ch. Dhe për herë të parë brenda po kaq kohësh në këtë kanton nuk është regjistruar asnjë i vdekur nga koronavirusi. Kjo tregohet nga të dhënat e publikuara në faqen kryesore të Kantonit të Ticinos.
Siç dihet, kantoni jugor i Zvicrës, i cili kufizohet me regjionin italian më të prekur nga korona, Lombardinë, ka qenë vatra më e rrezikshme e virusit në Zvicër, shkruan albinfo.ch. Në Ticino më 10 mars, ka vdekur personi i parë në Zvicër nga pasojat e sëmundjes së mushkërive Covid-19.
Nga 14 marsi, numri i vdekjeve shkonte çdo ditë duke u rritur. Më 31 Mars, ekipi i krizës i kantonit pati raportuar 15 vdekje nga covid-19 brenda 24 orëve, që ishte numri më i lartë në përgjithësi. Ndërsa më 30 Mars dhe 1 Prill, 12 persona kishin vdekur nga efektet e sëmundjes virale, duke shënuar kështu fillimin e rënies së shifrave të të viktimave në këtë kanton.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga koronavirusi në kanton është 340. Vetëm në kantonin Vaud ka më shumë viktima (389) por në raport me numrin e banorëve, Kantoni i Ticinos mbetet më i prekuri.
Sipas të dhënave të kantonit, nga 26 deri në 27 Mars, 287 persona qenë testuar pozitivisht që përbënte numrin më të madh të të infektuarve. Po u krahasua ky numër me atë të sotmin (vetëm 3 raste), bëhet e qartë se trendi i përmirësimit është i padyshimtë