Shoqata Étudiants Albanais de Lausanne organizoi me sukses aktivitetin Engineers’ Day 2026, një mbrëmje e dedikuar shkëmbimit të përvojave dhe ideve mes studentëve dhe profesionistëve shqiptarë në fushën e inxhinierisë, shkruan albinfo.ch.
Ngjarja u zhvillua në ambientet e École Polytechnique Fédérale de Lausanne dhe u organizua në bashkëpunim me Albanian Engineering of Switzerland. Aktiviteti mblodhi studentë, profesionistë dhe alumni, duke krijuar një hapësirë për diskutime frymëzuese, këshilla profesionale dhe shkëmbim përvojash.
Gjatë mbrëmjes, disa ish-studentë të EPFL ndanë rrugëtimin e tyre profesional, përvojat në tregun e punës dhe këshilla të vlefshme për studentët që synojnë të ndërtojnë karrierë në fushën e inxhinierisë.
Organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit, studentët dhe të ftuarit që kontribuan në krijimin e një atmosfere dinamike dhe motivuese.
Sipas organizatorëve, aktivitete të tilla synojnë të forcojnë lidhjet mes studentëve shqiptarë në Zvicër dhe profesionistëve të suksesshëm, duke krijuar mundësi për bashkëpunim dhe zhvillim profesional edhe në të ardhmen. /Albinfo.ch



