Disa persona janë marrë peng në një lokal në qytetin holandez Ede, pranë qytetiot Utrecht, të shtunën. Kështu shkruan policia në rajonin e prekur në platformën X.
Tri pengje tashmë janë liruar, por situata nuk është zgjidhur ende, transmeton albinfo.ch. Një forcë e madhe policie ka rrethuar zonën në qendër të qytetit. Rreth 150 apartamente u evakuuan për shkak të kërcënimit. Nuk ka asnjë provë se ky ishte një akt terrorist, thuhet në komunikatën e policisë.
Lidhur me tre të liruarit, transmetuesi publik NOS raportoi se ishin tre të rinj që kishin të veshur uniformën e stafit të kafenesë.
Sipas NOS, fillimisht ishte e paqartë nëse këta persona ishin pengje. Ata ishin “dukshëm të tronditur”; Forcat speciale të policisë do të kujdesen për ta.
Nuk dihet se sa pengje janë gjithsej. Sfondi i marrjes së pengjeve është gjithashtu i paqartë. Në një moment të mëhershëm, një zëdhënës i policisë kishte thënë për NOS se shërbimet e urgjencës supozonin se bëhej fjalë për vetëm një pengmarrës.
Policia bëri thirrje që njerëzit të shmangin qendrën e qytetit në provincën Gelderland. Rreth 70,000 njerëz jetojnë në qytet, shkruan srf.ch duke iu referuar mediave holandeze.