Është djegur zyra e kompanisë së sigurimeve kufitare në vendkalimin kufitar me Serbinë, në Brnjak, Porta-31.
Policia e Kosovës njofton se ngjarja ka ndodhur mbrëmë pas orës 20:00, ndërsa dyshohet që në objektin e kësaj kompanie të sigurimeve, të licencuar nga institucionet e Kosovës, është hedhur një mjet shpërthyes.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka deklaruar se nuk ka të lënduar, por se dëmet materiale janë të konsiderueshme. Hoti theksoi se policia është duke i kryer hetimet për ngjarjen dhe se deri tash nuk ka të dyshuar.
Zyra e sigurimeve në portën kufitare 31 është djegur edhe vitin e kaluar. Ndërkaq, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në mars 2008-s serbët e veriut patën shprehur revoltën e tyre duke djegur tërësisht portën kufitare 31 në Brnjak dhe portën 1 në Jarinë, të Zubin Potokut.