Sot në oborrin e Komunës së Hanit të Elezit në Kosovë i është vënë zjarri bredhit të vendosur për Vitin e Ri.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Patrulla e policisë ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që edhe një ekip i zjarrëfikësve ka lokalizuar zjarrin. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestarë dhe është inicuar një rast “Shkaktim i rrezikut të përgjithshem”. Ndërsa në rast janë kyçur edhe njësia e hetimeve, të cilët po e hetojnë rastin”, tha ai.
Tutje, Veseli bëri të ditur se sot janë vërejtur disa mbishkrime “Viti i Ri nuk është i joni, mos festo festat e jomyslimanëve”.
“Policët patrullues kanë vërejtur se në disa rrugë ishin vendosur disa afishe me mbishkim ,,Viti i ri nuk është i joni, mos festo festat e jo myslimanëve”.
Ai tha se po punohet për të identifikuar të dyshuarit.
Rasti është iniciuar për hetim dhe është cilësuar ”Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.