Diaspora shqiptare kërkon zgjidhjen e çështjes shqiptare, si kusht për mbështetjen e referendumit të 30 shtatorit për marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.
Drejtuesit e Lidhjes Shqiptaro-amerikane dhe të Lidhjes së Diasporës Shqiptare në Evropë, thonë se e mbështesin plotësisht integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, si synim shumëvjeçar i popullit shqiptar. Mirëpo, integrimi, sipas tyre, duhet të bëhet me të drejta të barabarta me maqedonasit, si dy bashkësitë më të mëdha etnike në Maqedoni.
Mahmut Skënderi nga Lidhja Shqiptaro-amerikane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, forcohet identiteti maqedonas, por jo edhe ai shqiptar, pasi, sipas tij, gjuha shqipe vazhdon të quhet si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës, bartës të sovranitetit nuk do të jenë edhe shqiptarët, ndërsa në dokumentet personale shqiptarët do të figurojnë si maqedonas, përcjell albinfo.ch.
Edhe Lidhja e Diasporës Shqiptare është kundër çdo marrëveshjeje që bëhet për të ardhmen e Maqedonisë pa zgjidhjen e, siç thuhet, statusit shtet-formues të shqiptarëve me ndryshime të paevitueshme kushtetuese.
Nga Lidhja Shqiptaro-amerikane thonë se në rast se nuk zgjidhen çështjen e hapura, sipas tyre, dhe nuk investohet në zonat e banuara shqiptare, nuk do të ketë perspektivë dhe, për pasojë, do të vazhdojë eksodi i popullatës.
“Integrim për t’i zbrazur trojet shqiptare, gjithë rininë ta dërgojnë në Evropë dhe këtu të nisë kolonizimi i ri? A thua ky është integrimi i partive politike? Ku e kemi rininë sot? Të gjitha shkollat janë boshatisur! E tmerrshme, fshati ku unë jetoj, ka shtatë nxënës kur është me mbi 1 mijë shtëpi, por të gjitha të boshatisura!”.
“Unë e dua integrimin, por integrimi duhet të bëhet në vendin tënd, të zhvillohet, të krijosh ardhmëri për rininë këtu, e jo të marrë valixhet dhe të largohet nga vendi”, thotë Mahmut Skenderi, duke kritikuar partitë shqiptare, të cilat, sipas tij, prioritet kanë mbetjen në pushtet e jo zgjidhjen e çështjeve të hapura që për më shumë se dy dekada demokraci, nuk po gjejnë zgjidhje.
Partitë politike pa përjashtim, si ato shqiptare, ashtu edhe ato maqedonase, e kanë ftuar diasporën që të mos e humbë, sipas tyre, rastin historik dhe të japë kontributin për suksesin e referendumi, nga i cili varet integrimi në NATO dhe BE.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, disa herë kanë theksuar qëndrimin se me miratimin e Ligjit për gjuhët, është zgjidhur edhe çështja e fundit që ka të bëjë me shqiptarët dhe se angazhimi i tyre edhe në të ardhmen do të jetë në drejtim të forcimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.
Por, qëndrime të ngjashme me diasporën ka opozita shqiptare, e drejtuar nga Aleanca për Shqiptarët, e cila mbështet referendumin, por që fazën e ndryshimeve kushtetuese do ta kushtëzojë me zgjidhjen e kërkesave që janë të ngjashme me ato të diasporës shqiptare.