Qeveria e Italisë do t’i jep mbështetje të plotë Ministrisë kosovare të Diasporës për të realizuar objektivat e saj organizative, kulturore e arsimore në diasporën shqiptare në këtë shtet. Kështu deklaroi ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi pas një takimi që zhvilloi me ministrin e Diasporës, Valon Murati.
Ambasadori italian, theksoi se shqiptarët janë mjaft mirë të integruar në shtetin italian.
Gjatë këtij, takimi ministri Murati e njoftoi diplomatin Sardi për politikat e MeD-së dhe projektet e realizuara, si regjistrimi i diasporës, proces tashmë i përfunduar, të dhënat e të cilit do të dalin muajt e ardhshëm. Po ashtu, u bisedua edhe për bashkëpunimin Kosovë-Itali, veçanërisht në fushën e kulturës e të arsimit, si dhe për komunitetin e shqiptar që jeton dhe vepron atje.
Ministri Murati foli edhe për mësimin e gjuhës shqipe në Itali, për organizimin e diasporës atje, për rrjetet e krijuara të studentëve dhe të rinjve shqiptarë, për investimet në zhvillimin ekonomik të vendit, për krijimin e kushteve për të investuar në Kosovë, por edhe për tema të tjera që lidhen me diasporën.