Dënimet drakonike që kanë marrë nga pushteti maqedonas të akuzuarit e rastit “Lagjja e Trimave”, kanë nxitur një valë reagimesh edhe tek shqiptarët e diasporës.
Në një njoftim që ka lëshuar për opinion “Diaspora për Strugën”, fton qytetarët e Maqedonisë në mbështetje të të dënuarve të rastit “Lagjja e Trimave” në Kumanovë.
„Organizata jonë me seli në Vjenë dhe Cyrih përkrah protestat e së dielës të organizuara nga SHKSHM për të denuarit e rastit “Lagjja e Trimave”, shkruan “Diaspora për Strugën” në një njoftim të lëshuar në adresën tonë, shkruan albinfo.ch.
Ata apelojnë tek të gjithë shqiptarët e Maqedonisë që ti bashkangjiten protestës kundër robërisë që po ndodh në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
„Apelojmë tek të gjithë shqiptarët në Maqedoni, nga Manastiri e deri në Likovë, që të dalin dhe ti thonë JO apartejdit dhe robërisë në FYROM”.
Rasti i të dënuarve të Kumanovës tregon padrejtësitë e mëdha që bëhen në kurriz të shqiptarëve të Maqedonisë, thonë të rinjtë e “Diasporës për Strugën”.
„Ky rast tregon se në FYROM ka dy standarde të dyfishta të implementimit të ligjit ;një për shqiptarët, dhe një për të tjerët“, thonë nga „Diaspora për Strugën“.
Në procesin gjyqësor të “Grupit të Kumanovës”, Gjykata Penale e Shkupit ka shqiptuar 746 vjet burg për të akuzuarit të “Grupit të Kumanovës”. Shtatë pjesëtarë të këtij grupi i ka dënuar me burg të përjetshëm. Të tjerët kanë marrë së bashku 746 vjet burg, dhe vetëm katër prej tyre janë liruan nga aktakuza.