Diaspora kosovare vazhdon të shihet vetëm si remitencë nga institucionet e Kosovës, ndërsa në të gjitha proceset tjera vazhdon të anashkalohet. Injorimi që i iu bëhet qindra mijëra mërgimtarëve po vërehet edhe në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ku për votim janë regjistruar vetëm 10 mijë mërgimtarë.
Kështu ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), zyrtarë të së cilit kanë thënë se rreth 1 mijë aplikacione të ardhura nga jashtë janë shpallur të pavlefshme. Mirëpo, përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës konsiderojnë se ky numër është tejet i vogël, duke i krahasuar me mërgimtarët që nuk jetojnë në Kosovë, citon Zëri.
Sipas tyre, për ta rritur numrin e votuesve të diasporës duhet fillimisht të ndryshohet Ligji për Zgjedhjet në mënyrë që diasporës t’i mundësohet të votojë nëpër konsullata nëpër vendet ku jetojnë e jo të merren me një “duzinë” aplikacionesh e rregullash.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e diasporës thonë se numri i vogël i votuesve nga atje ka të bëjë me mungesën e bashkëpunimit të institucioneve në Kosovë. Por, nuk është vetëm kësaj here diaspora e anashkaluar nga shteti. Edhe në zgjedhjet e kaluara diaspora kosovare është anashkaluar nga Prishtina. Në Kuvend nuk ka asnjë deputetë që vjen nga mërgata.