Dje, me rastin festave të nëntorit, në Prishtinë është hapur panairi “Blej Shqip”.
Mikpritësi i këtij aktiviteti mbarëkombëtar, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se është shumë e rëndësishme që brezat e rinj të mos harrojnë vlerat e traditat tona kombëtare dhe t’i kultivojnë ato.
Panairi u vizitua nga zv. ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, znj. Artemis Malo, si dhe nënkryetarja e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, zj. Elisabeta Katiaj.
Dhoma e Biznesit të Diasporës shqiptare për herë të parë ishte pjesë e këtij panairi, angazhim i mundësuar pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së përbashkët për organizimin e këtij panairi.
Falë këtij bashkëpunimi, Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare u mundësoi rreth 65 artizanëve nga Shqipëria dhe shumë të tjerë nga Kosova pjesëmarrjen në panair. Në stendat e veçanta ata patën mundësinë të ekspozojnë produktet e tyre në panairin “Blej Shqip”, i cili do të qëndrojë i hapur edhe ditën e nesërme në Bulevardin “Nënë Tereza” në Prishtinë.