Në vetëm 21 vjet Wikipedia është bërë një fenomen global, një pikë referimi për të gjithë njohuritë njerëzore që çdo muaj shënon 18 miliardë vizita dhe renditet e katërta ndër faqet më të vizituara në planet, raporton focus.it.
Prandaj nuk është për t’u habitur që në luftën e informacionit që po zhvillohet në botë, edhe para fillimit të pushtimit rus të Ukrainës ka nga ata që përpiqen të ndërhyjnë në zërat e enciklopedisë më të madhe online për të ndikuar në opinionin publik botëror.
Natën e 13 prillit 2022, kur kryqëzori ”Moskva”, anija kryesore ruse në Detin e Zi u godit nga raketat ukrainase kundër anijeve ”Neptun”, njoftimi në Wikipedia në lidhje me anijen u modifikua disa herë brenda pak minutash nga ata që e raportuan të mbytur dhe nga ata që e mohuan.
Presionet e Rusisë
Organi që kontrollon mediat në Rusi, ”Roskomnadzor”, ka argumentuar vazhdimisht se Wikipedia është bërë burimi i “një linjë të re sulmesh të vazhdueshme ndaj rusëve” dhe se ”artikujt e saj promovojnë një interpretim ekskluzivisht antirus të ngjarjeve”.
Një gjykatë në Moskë, siç raportohet nga agjencia e lajmeve Reuters, më 13 qershor vendosi një gjobë prej 5 milionë rubla (rreth 85 000 euro) për fondacionin Wikimedia, organizatë që mbikëqyr krijimin dhe mirëmbajtjen e Wikipedia.
Wikipedia refuzoi të heqë një sërë njoftimesh lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, masakrën e Buçës dhe krimet ruse të luftës të kryera gjatë luftës.
Organizata kundërshtoi duke deklaruar se Wikipedia është një burim i lexuar në gjithë botën, jo vetëm në Rusi, dhe duke argumentuar se publiku ka të drejtë të dijë faktet rreth luftës, të cilën Kremlini e quan një operacion special ushtarak.