Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se rreth orës 18:00, në fshatin Pozhoran, komuna e Vitisë, dyshohet të ketë ndodhur një vrasje e katërfishtë, motivet e së cilës për momentin ende nuk dihen.
Sipas informatave fillestare, dyshohet se personi me inicialet F.Z., me armë zjarri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, të ndjerën M.Z. dhe dy fëmijët e tij, të ndjerët H.Z. dhe A.Z., ndërsa në fund ka kryer vetëvrasje.
Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipa mjekësore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë, shkruajnë mediat kosovare, përcjell albinfo.ch.
Familja jetonte në Zvicër ndërsa ndodhej në Kosovë për pushime.
Nga informacionet e mediave vendore mësohet, që të katër këta persona kanë ardhur nga Zvicra për t’i kaluar pushimet në vendlindje dhe që nesër kanë pasur ditën e fundit të tyre për ta kaluar në Kosovë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Fatkeqësisht është e vërtetë. Kemi katër viktima të një familjes. Për momentin nuk i dimë detajet se si ka ardhur deri te kjo vrasje. Unë jam në vendngjarje por nuk po mundem ende me vërejtur. Është këtu edhe ekipi i Mjekësisë Ligjore. Rasti ka ndodhur në ora 18:10. Fatkeqësisht është vrasje familjare”, ka deklaruar Hashani.