Zvicra ka pasur periudha më të bujshme në beachvolleyball (volejboll plazhi). Aktualisht nuk mund të flitet për suksese të mëdha në këtë drejtim. Mirëpo, kohëve të fundit Shkolla e Talenteve të volejbollit në Aarau është duke përgatitur gjeneratën e re të volejbollistëve të Zvicrës. Shqiptari nga Kosova Bujar Dervishaj udhëheq këtë shkollë dhe ai ka ndryshuar edhe konceptin e saj.
Koncepti i ri nuk parasheh më ekipe të ndara për volejboll salle dhe plazhi. Dervishaj, që është edhe shef për sport kulminant në federatën regjionale dhe njëkohësisht edhe udhëheqës i shkollës së talenteve, thotë: “Ne duam që t`ua ofrojmë të rinjve një stërvitje në të gjitha teknikat e volejbollit. Në këtë mënyrë, ata, kur t`i mbushin 18 vjet, do të përcaktohen vetë nëse do të luajnë volejboll salle ose plazhi”.
Ndërkohë, Bujar Dervishaj thotë se është krenar me të arriturat. “Ne japim 7 deri në 8 lojtarë për kombëtaret zvicerane të volejbollit”, shkruan “Aargauer Zeitung”.
Por, sipas tij, nuk janë medaljet ato që vihen në plan të parë. “Me rëndësi është mësimi i teknikave të duhura dhe që të rinjtë të ndjejnë kënaqësi në ngritjen e tyre sportive”.