Deri pas mesditës procesi zgjedhor në Kosovë po ecën mbarë, me disa parregullsi të vogla. Pjesëmarrja në votime konsiderohet relativisht e kënaqshme, mbi 15 për qind, ndërsa përfaqësuesit e institucioneve vendore e ndërkombëtare bëjnë apel për fushatë të qetë dhe të ndershme.
Në pjesën veriore të vendit, që nga mëngjesi, është vërejt një pjesëmarrje më e vogël në votime, sepse apeli për bojkot nga grupe të caktuara njerizosh po vazhdon kudo.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se disa grupe të caktuara në veri nuk janë duke i lejuar qytetarët që lirshëm të shprehin vullnetin e tyre.
“Para dhe gjatë fillimit të hapjes së vendvotimeve komisionarë janë penguar në punën e tyre. Për këtë gjendje janë informuar edhe Policia e Kosovës edhe institucionet e tjera relevante. Mirëpo, do ta njoftojmë edhe Bashkimin Evropian, edhe pse OSBE-ja është e informuar, sepse është në pjesën veriore”, citin REL, Valdete Dakën.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri, Besim Hoti, tha se gjendja e sigurisë në veri është kryesisht e qetë. Megjithatë, ai bëri të ditur se në tri lokacione në afërsi të qendrave të votimit, disa qytetarë janë duke bërë thirrje për të bojkotuar procesin.
Rrjeti i Organizata Joqeveritare “Demokracia në Veprim” e cila monitorin procesin zgjedhor, në konferencën e parë për media, procesin zgjedhor të deritanishëm e ka vlerësuar procesin në përgjithësi të qetë.
Nga 1600 vëzhgues sa i ka terren, DV ka evidentuar vetëm një qendër votimi në Prishtinë ku është vonuar hapja e saj për disa minuta. DV thekson se në Malishevë ka pasur raste të vulosjes së dyfishtë të fletëvotimeve, ndërkaq në Gjakovë ka pasur materiale propaganduese të AAK-së afër qendrave të votimit.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga votoi sot paradite në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ndërsa në një deklaratë dhënë për media u bëri apel të gjithë qytetarëve të që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre duke dalë masovisht për të votuar.
“Këto zgjedhje janë test i pjekurisë tonë politike, janë test i demokracisë të brendshme dhe janë dëshmia e një shteti gjithëpërfshirës, të cilin ne jemi duke e krijuar. Dita kur shprehet vullneti politik është një ditë kremte, është edhe përkujtimi më i mirë për sakrificën nëpër të cilën ka kaluar shoqëria”, tha ajo.
Edhe kryeministri Hashim Thaçi këto zgjedhje i cilësoi shumë të rëndësishme si një test për demokracinë. Ai tha se këto janë zgjedhjet e para të lira që po organizohen në gjithë territorin dhe janë historike për Republikën e Kosovës.
“Kaluam një vit të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë me sukses ta plotë. Tani kemi hapur rrugën e sigurt për integrime evropiane, procesin e stabilizim asociimit dhe procesin e liberalizimit të vizave. Këto zgjedhje janë test evropian për Republikën e Kosovës”, deklaroi kryeministri Thaçi.
Edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar i ka ftuar gjithë qytetarët e Kosovës që të dalin të votojnë dhe të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.
Ai ka vizituar një qendër votimi në Prishtinë duke bërë të ditur se do të vizitoj edhe komunën e Vushtrrisë, fshatin Prilluzhë dhe më pas veriun e Mitrovicës. Zhbogar shpreson që edhe në Mitrovicë qytetarët do të dalin të votojnë si në komunat e tjera të Kosovës që edhe banorët e veriut ta zgjedhin vetë përfaqësuesin e tyre.