Deputetët e Parlamentit të Zvicrës nuk do të kenë rritje pagash prej 2.5 për qind për përshtatjen me koston e jetesës, transmeton albinfo.ch. Kështu ka vendosur sot Dhoma e Kantoneve (Dhoma e Vogël ose Senati).
Ai ka votuar me 29 vota kundër ngritjes dhe vetëm 11 pro planeve për ngritje të pagave në fjalë. Me këtë, rritja e pagave të parlamentarëve është tashmë jashtë rendit të ditës, shkruan srf.ch.
Dhoma e Vogël me këtë votim ka hedhur poshtë një propozim përkatës nga zyra e saj. Për herë të parë që nga viti 2012, kjo parashikonte kompensim të kostos së jetesës për anëtarët e Parlamentit dhe rritje të kontributeve të grupeve parlamentare, përcjell albinfo.ch.
Masa, sikur të votohej, do t’i kushtonte Qeverisë Federale 1.3 milionë CHF.