Skip to content

Deputetët vijnë në punë me këmisha “Edelweiss”

20 politikanë kishin defiluar të hënën në parlament, të veshur me "Edelweis", duke iu bashkuar aksionit të të rinjve të SVP-së "Zeig au du Edelwiis"

Në vend të kostumit standard, të mërkurën disa parlamentarë nga SVP/UDC kishin ardhur në ndërtesën e Parlamentit të Kantonit të Valisit me këmishat tradicionale «Edelweiss».

Siç shkruan portali i i radios rro.ch nga ky kanton, këmisha e përmendur, që është pjesë e traditës zvicerane, bartet me krenari aty këtu edhe jashtë festave të sportit të mundjes (Schwingerfest), të cilat i karakterizon ajo.

Kështu ka qenë deri para pak ditësh, kur vendimi i dhjetë nxënësve në kantonin e Cyrihut për të bartur këtë këmishë në shkollë dhe ndalimi nga mësuesja, u bë temë e një debati të nxehtë politik në gjithë Zvicrën (për të cilin ka shkruar edhe albinfo.ch) .

Vetëm një ditë pas publikimit të lajmit në shtypin e të dielës, debati mbi këmishat «Edelweis» kishte përfshirë edhe Palamentin e Kantonit të Cyrihut. 20 politikanë kishin defiluar të hënën në parlament, të veshur me këmishat e përmendura, duke iu bashkuar aksionit të të rinjve të SVP-së «Zeig au du Edelwiis» (Tregoje edhe ti Edelweiss-in).

Duke ndjekur këtë trend, edhe një numër deputetësh të Valisit kanë bërë të njëjtën gjë të mërkurën.