Gjykata e Qarkut në Bremgarten, në një proces që ka përfunduar sot, ka dënuar dy policë kantonalë të njësiteve speciale me dënim me kusht, me të holla.
Ata, bashkë me shefin e tyre akuzoheshin se në vitin 2009 kishin qëlluar me armë ndaj një serbi, i cili kishte përdorur dhunë ndaj gruas së tij.
Rasti i njohur si “Argus” bazuar në emërtimin e njësitit special policor me këtë emër, ka bërë bujë për shkakun se personi i qëlluar me armë kishte pësuar lëndime të rënda në bark, ku ishte qëlluar. Ai kishte qenë në gjendje të dehur dhe i dhunshëm kështu që dy policët kishin qëlluar drejt tij që ta neutralizonin, përcjell albinfo.ch raportimet e medieve zvicerane që kanë mbuluar gjykimin në Bremgarten.
Mirëpo, sipas mendimit të gjykatësve dhe të tjerëve, aksioni i tyre nuk ka qenë adekuat me rrezikshmërinë. “Kanë qëlluar me topa ndaj një harabeli”, e kanë përshkruar simbolikisht gjyqtarët veprimin e njësitit special.
Policët në sallën e gjykimit janë paraqitur me armatim dhe pajisje të plotë të njësiteve elitare policore. Ata nuk kanë pranuar të flasin dhe kanë autorizuar avokatët e tyre për këtë gjë.
Udhëheqësi i grupit është shpallur i pafajshëm.
Gruaja e serbit (i cili ndërkohë ka vdekur, nga shkaqe tjera) ka deklaruar se është penduar që ka alarmuar policinë. “Ky është gabimi më i rëndë i jetës sime”, shkruan nzz.ch duke cituar të vejën e serbit të qëlluar nga policët elitë të Kantonit Aargau, transmeton albinfo.ch. Atë e bren ndërgjegja se plagosja e rëndë e të shoqit ka ardhur si pasojë e alarmimit nga ana e saj.