Mijëra persona dolën në protestë të shtunën pasdite në Bernë, duke kërkuar që kujdesi për shëndetin mendor të jetë i aksesueshëm për të gjithë. Ata dënuan listat e gjata të pritjes, mungesën e qasjes në terapi dhe mungesën e një sistemi të qartë tarifimi.
Sipas organizatorëve, rreth 5,000 persona morën pjesë në demonstratë, duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Psikoterapia nuk duhet të jetë luks” dhe “Terapisti yt është i zemëruar”. Në kujtim të viktimave të vetëvrasjes u mbajt edhe një minutë heshtje.
“Shëndeti nuk është treg,” deklaroi psikoterapistja dhe anëtarja e parlamentit komunal të Bernës, Valentina Achermann. Ajo kërkoi “para, kohë dhe respekt”, duke theksuar se është e paimagjinueshme që në një nga vendet më të pasura në botë njerëzit të presin kaq gjatë për të parë një terapist.
Psikoterapia e përballueshme për të gjithë
Organizatorët e protestës kërkuan që psikoterapia të jetë e aksesueshme dhe e përballueshme për këdo. Për këtë, ata kërkuan tarifa të përshtatshme, më pak burokraci, më shumë vende të përballueshme trajnimi dhe kushte më të mira pune. U bë gjithashtu thirrje për solidaritet me personat e prekur.
Protesta u organizua nga nisma “Shëndeti Mendor për të Gjithë”, një grup profesionistësh, studentësh dhe qytetarësh të interesuar në fushën e kujdesit psiko-terapeutik në gjithë Zvicrën. Kërkesat e tyre u mbështetën nga Partia Socialdemokrate, Partia e Gjelbër, si dhe nga sindikata dhe organizata të ndryshme të sektorit shëndetësor.
Një sistem tarifimi i kontestuar
Organizatorët kritikuan modelin e recetave të miratuar që prej vitit 2022, i cili ka qenë subjekt i negociatave të vështira mes shoqatave profesionale dhe siguruesve shëndetësorë. Aktualisht, psikoterapistët mund të rimbursohen nga sigurimi bazë i shëndetit vetëm nëse pacienti ka një recetë nga mjeku. Siguruesit, megjithatë, paralajmërojnë për kosto shtesë dhe po planifikojnë uljen e tarifave.
Shoqatat profesionale nuk morën pjesë drejtpërdrejt në protestë, për të mos rrezikuar negociatat që janë në një fazë delikate. Një draft i sistemit kombëtar të tarifimit është në shqyrtim që prej qershorit.