Departamenti belg i të huajve, mbrëmjen e së hënës ia ka konfirmuar Agjencisë telegrafike belge “Belga”, se e ka dëbuar nga Belgjika Safet Rustemin, në qershor 2017, siç raporton gazeta belge “La Dernière Heure”, njofton Albinfo.ch.
Ky person, një shqiptar 33-vjeçar, javën e kaluar sapo i është shtuar listës së “më të kërkuarve të Belgjikës”, kriminelë të kërkuar që duhet të dënohen në Belgjikë.
Megjithatë, vetë shteti belg, nëpërmjet Zyrës së të Huajve, është ai i cili vitin e kaluar e shoqëroi të dyshuarin jashtë vendit.
Nga ana tjetër, Departamenti belg i të huajve ka cekur se shqiptari gjendet në liri dhe se nuk ka kurrfarë lejeqëndrimi.
“Herën e parë, Safet Rustemi ishte dënuar në vitin 2015 dhe pastaj përsëri në vitin 2017 sipas të dhënave që i kemi në dosjen e tij.
Ai ishte liruar me garanci prej 25.000 eurosh, por nuk kishte lejeqëndrimi në Belgjikë “, ka deklaruar Dominique Ernould, zëdhënës i Departamentit belg për të huajt.
“Në vitin 2015, Safet Rustemi mori një urdhër të parë për t’u larguar nga territori, por kurrë nuk u largua, pastaj një urdhër të dytë… Në qershor të vitit 2017 ai u largua nga territori belg nën përcjelljen e policisë, me ndalesë për hyrje në Belgjikë për tre vitet e ardhshëm. Me këtë rast, ne kemi të bëjmë vetëm me sanksione administrative lidhur me qëndrimin e paligjshëm”, tha Dominique Ernould.
Safet Rustemi, një shqiptar 33-vjeçar, është në kërkim nga Belgjika që nga java e kaluar për tu dënuar me 9 vite burg nga Gjykata e Apelit e Brukselit.
Ai ishte shfaqur në të gjitha seancat dhe nuk ishte arrestuar në fund të aktgjykimit.