Futbolli tek femrat në Shqipëri nuk është shumë i zhvilluar. Megjithatë, rezultatet e dobëta nuk pranohen. Rezultatet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare komentohen në mënyrë të ndryshme. Së fundi femrat U-19 janë turpëruar në dy ndeshjet e fundit, shkruan albinfo.ch.
Ekipi kuqezi për moshat deri në 19 vjeç pësoi një disfatë të thellë me shifrat 9:0 ndaj Serbisë, e për më tepër kjo, pas humbjes shkatërruese 11:0 me Skocinë. Pra, Shqipëria për dy ndeshje pësoi 20 gola.
Shqipëria mban vendin e fundit në Grupin e katërt eliminator të ‘Euro 2017’ me zero pikë dhe me një golavarazh zero të shënuar dhe 20 të pësuar. Ky është një bilanc zhgënjyes për kombëtaren e drejtuar nga ish-mbrojtësi Nevil Dede.
Por, ai është arsyetuar se është tradhtuar nga vashat kosovare, që kanë braktisur Kombëtaren kuqezi. “U ndiem të tradhtuar realisht. Fjalën tradhti e përdor sepse dy ditë para ndeshjes u njoftova që tri vajza nuk do të vinin, të cilat ishin pjesë e jona. Në fakt, ato nuk do të humbisnin asgjë nëse do të luanim me U-19 dhe më pas të zgjidhnin se me cilën do të luanin në Kombëtaren e Madhe, për Shqipërinë apo për Kosovën. Është zgjedhje e tyre dhe nuk i gjykojmë dot, por të paktën të na kishin njoftuar pak kohë më parë. Grupi ynë është realisht i limituar dhe vetëm në momentet e fundit kemi marrë tri vajza të tjera, pa stërvitje dhe pa punuar me grupin. Gjithsesi tradhtia u përket atyre dhe jo neve”, është shprehur trajneri i Kombëtares U-19 të femrave kuqezi.