Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi ka shpjeguar pse e ka lënë jashtë grumbullimit këtë radhë Shkëlzen Gashin, duke afruar emra të rinj si Eros Grezda, Liridon Latifi e Azdren Llullakun, shkruan albinfo.ch.
“Kam folur këto ditë me Gashin, ishte i gatshëm të vinte për këto ndeshje, por bëra zgjedhje të tjera. Kam afruar të rinj si Manaj, Grezda e Latfii, të rinj për të ardhmen. Unë zgjedh lojtarë të përshtatshëm për projektin”, ka thënë De Biasi.
Ai ka folur edhe për ndeshjen me Lihtenshajnin. “Ndeshjet e rëndësishme për ne janë ato me Lihtenshtajnin, Maqedoninë e Izraelin, si fillim të përqendrohemi te këto, pasi ndeshjet e tjera kanë histori në vetë. Siç e kam thënë shpesh, udhëtimi drejt ‘Rusi 2018’ është shumë i vështirë për ne, duhet ta bëjmë sa më pak të komplikuar të mundshëm. Gjërat më të rëndësishme i bëjmë kur jemi të përqendruar, për mua e rëndësishme është të bëjmë sa më mirë ndaj Lihtenshtajnit, pasi ne duhet të bëjmë pikë”, theksoi italiani.
“Ndeshja më e vështirë për ne është kjo ndaj Lihtenshtajnit. Është një kundërshtar që duhet trajtuar me shumë kujdes, mbrohet mirë. Duhet përqendrim si në 30 minutat e para me Maqedoninë”, shtoi më tej De Biasi.