Raporti përfshin po ashtu një aneks statistikor, të përgatitur nga Qendra Kombëtare Kundër Terrorizmit.
Statistikat flasin për 11.500 sulme terroriste, që kanë ndodhur në 72 vende gjatë 2010-ës e që kanë rezultuar me mbi 13.200 vdekje.
Ndonëse numri i sulmeve është rritur për pothuajse 5 për qind nga viti paraprak, numri i viktimave ka rënë për të tretin vit radhazi, përkatësisht për 12 për qind nga 2009-ta. Për të dytin vit me radhë, numri më i madh i sulmeve ka ndodhur në Azinë Jugore dhe në Lindjen e Afërt. Në këto rajone kanë zënë vend mbi 75 për qind të sulmeve në botë.
Në raport këtë raport flitet edhe për Kosovën në të cilin thuhet se Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në çështjet që kanë të bëjnë me terrorizmin. “Ajo ka shënuar përparim në miratimin e legjislacionit për të luftuar terrorizmin, përfshirë Strategjinë e Sigurisë së Kosovës, Ligjin për Tregtinë e Mallrave Strategjike dhe Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit”, thuhet në raport.
DASH ka thënë se kapaciteti i qeverisë për të zbatuar legjislacionin që lidhet me sigurinë, megjithatë, mbetet shqetësim.
Njësia e Policisë së Kosovës Kundër Terrorizmit është ende në zhvillim të kapacitetit të saj për të kryer operacione të suksesshme kundër terrorizmit.
Raporti thekson nevojën e zhvillimit të bashkëpunimit dhe koordinimit efektiv ndërmjet departamenteve brenda Policisë së Kosovës.Kosova ka shënuar përparim në miratimin e legjislacionit kundër terrorizmit. Strategjia e Sigurisë së Kosovës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 23 shtator.
Ajo thekson përgjegjësitë e Policisë së Kosovës, të Doganave të Kosovës, të Policisë Kufitare të Kosovës dhe të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për të koordinuar përpjekjet e tyre kundër terrorizmit dhe për të siguruar se “Kosova nuk do të bëhet strehë e individëve apo grupeve, që synojnë të nxisin ekstremizmin e dhunshëm dhe të trajnojnë apo pajisin terroristët potencialë”.
Departamenti Kundër Terrorizmit i Policisë së Kosovës ishte kryesisht përgjegjës për përpjekjet e Kosovës kundër terrorizmit. Kapaciteti i tij për të kryer operacione të suksesshme mbetet në zhvillim e sipër.
“Ky departament përfshin 27 oficerë dhe vazhdon të trajnojë dhe zhvillojë kapacitetet e zyrtarëve të tij. Trajnimi zhvillohet në bazë të programeve të financuara nga Shtetet e Bashkuara, OSBE-ja, partnerët evropianë – veçanërisht Turqia – në fushat që përfshijnë mbikëqyrjen, marrjen në pyetje, hetimin, inteligjencën kundër terrorizmit dhe analizat”, shkruan në raportin e DASH-it.
Përpjekjet operative të Departamentit Kundër Terrorizmit në Kosovë thuhet të jenë penguar nga mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet departamenteve.Më 30 shtator, me ndihmën teknike të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Kosova ka miratuar Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe të Financimit të Terrorizmit.
Ligji detyron Task Forcën e Veprimit Financiar të raportojë obligimet, përfshirë edhe raportimin e transaksioneve të dyshimta dhe të strukturuara.
I njëjti ligj gjithashtu ka krijuar një Njësi të pavarur të Inteligjencës Financiare, e cila duhet të raportojë çdo transaksion mbi 10 mijë euro, transaksionet e dyshimta dhe transaksionet e strukturuara.
Marrë parasysh kufizimet që paraqet gjendja e saj financiare, Qeveria e Kosovës ka zgjeruar përpjekjet e saj për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë, për të adresuar rrjedhën e individëve që, në mënyrë të paligjshme, kalojnë transit nëpër Kosovë, dhe për të identifikuar kërcënimet e mundshme, si nga brenda, ashtu dhe nga jashtë.
Policia Kufitare e Kosovës mban takime të rregullta mujore me homologet e saj nga Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi.
Policia e Kosovës ndjek edhe një nismë të operacioneve kufitare, e cila përfshin bashkëpunimin dhe komunikimin ndërkufitar, shkëmbimin e inteligjencës dhe operacione të përbashkëta me policinë kufitare të tri vendeve të lartpërmendura.
Policia e Kosovës ka punuar edhe me qeveritë e Bullgarisë dhe Turqisë në lidhje me çështjet kufitare.
Raporti gjithashtu thekson se Qeveria e Kosovës, gjatë vitit, ka bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për të ekstraduar një shtetas të Kosovës në SHBA, për t’u përballur me ndjekje penale në lidhje me akuzat për terrorizëm.