Kosova po bëhet gati që të nxjerrë në treg valutën e vet, e cila mund të jetë “Dardan” ashtu siç është fol para dy dekadash. Nëse procesi ecën siç dëshirojnë disa zyrtarë kosovarë, atëherë qytetarët e Kosovës shumë shpejtë do të mund të blejnë bukë dhe gjësende të tjera me “Dardan”.
Këtë e ka konfirmuar edhe Bedri Hamza, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, i cili ka thënë se Kosova është duke e konsideruar mundësinë e futjes në treg të një valute të veten.
Hamza e bëri të ditur këtë gjatë Samitit të ministrave të financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të rajonit, i cili u mbajt në Mal të Zi nga 12 deri më 14 qershor 2014, organizuar nga javorja “NIN”.
Njohës të ekonomisë, siç raporton “tribuna” e shohin si domosdoshmëri për vendin zhvillimin e politikave monetare, instrumenti më efikas për ndërtimin e mekanizmave për funksionimin e ekonomisë. Mirëpo, tërheqin vërejtjen për stabilitetin e valutës vendore.
Përveç kësaj, adaptimi i një valute unike të Kosovës, apo përdorimi i ndonjë valute të vendeve të rajonit, siç mund të jetë ajo e Shqipërisë, për një pjesë të ekonomistëve duket i pamundur për momentin.
Ndryshe Kosova nga viti 2002 e përdorë euron, si valutë zyrtare. Para kësaj është përdorë kryesisht marka gjermane.