Sipas policisë, rreth 350 persona kanë dalë sot në rrugë në Cyrih duke demonstruar për “FreeParade” dhe “Dashuri, Paqe dhe Liri”. Ngjarja ka mobilizuar kryesisht kundërshtarët e masave të koronës.
Parada është regjistruar në qytet si një formë demonstrimi që koincidon me aktivitetin masiv “Love Parade” i cili “në kohë normale” mbahet për çdo vit në gusht, shkruan albinfo.ch.
Por, arsyeja kundër të cilës supozohej se do të demonstrohej, nuk gjendet në faqen e internetit të organizatorit. Një zëdhënëse i ka thënë agjencisë së lajmeve Keystone-SDA se ata donin të dërgonin mesazhe pozitive. Të gjithë janë të mirëpritur, të vaksinuar ose të pavaksinuar.
Në faqen kryesore të ngjarjes, nën logon e “sponsorëve” prezantohet administrata e rrethit Ahrweiler në landin gjerman Rheineland-Pfalz. E pyetur nga agjencia Keystone-SDA, administrata lokale është distancuar: Ata nuk e mbështesin një ngjarje të tillë në asnjë mënyrë, përcjell albinfo.ch.
“Përkundrazi, ne dënojmë veprime të tilla,” shkruan zyra për shtyp. Rasti do të shqyrtohet për të filluar hapat e duhur ligjorë.