Prodhuesi gjerman i ilaçeve, CureVac, ka paraqitur një kërkesë për aprovimin e vaksinës nga rregullatori zviceran i ilaçeve, Swissmedic, përcjell albinfo.ch.
Deri më tani Zvicra ka aprovuar tri vaksina, dy prej të cilave janë duke u përdorur. Zvicra tashmë ka vendosur porosi për pesë milionë doza të vaksinës mRNA të CureVac, e cila është e ngjashme me ato nga Moderna dhe Pfizer që tashmë administrohen në gjithë vendin.
Dorëzimi është pjesë e një procedure rishikimi të përsëritur për të “vlerësuar të dhënat shkencore sa më shpejt që ato të bëhen të disponueshme”, tha Swissmedic.
Sidoqoftë, është e paqartë se sa kohë do të zgjasë rishikimi.
“Kohëzgjatja e rishikimit do të varet nga tërësia e të dhënave të paraqitura nga CureVac dhe rezultatet e provave klinike, dhe për këtë arsye nuk mund të parashikohet”, tha Swissmedic, përcjell tutje albinfo.ch.