Ndërmjetësi i dialogut teknik, Robert Cooper, do ta ftojë Edita Tahirin dhe Borisllav Stefanoviqin që të martën e ardhshme, më 21 shkurt, të takohen në Bruksel.
Ai e ka marrë propozimin e palës kosovare që krahas Rezolutës 1244 dhe Opinionit të GJND-së në fusnotën me të cilën do të paraqitet Kosova, të figurojë edhe Deklarata e Pavarësisë e bërë më 17 Shkurt 2008, shkruan “Koha Ditore”.
Takimi do të realizohet nëse të dyja palët do të pajtohen për ditën e caktuar.
Ekipi i diplomatit evropian nuk ka marrë qëndrim ndaj propozimeve të palëve dhe propozimin e Qeverisë së Kosovës do ta konsultojë me palën serbe. “Do të vazhdojmë konsultimet me të dyja palët. Do të konsultohemi edhe me palën kosovare”, i ka thënë kësaj gazete një zyrtar i lartë evropian.
Gazeta ka mësuar se nuk përjashtohet mundësia që takimi i së martës të zgjasë me ditë, ashtu siç pati ndodhur në dhjetor kur palët dështuan të arrinin marrëveshje në bashkëpunimin kufitar dhe si rezultat Serbisë nuk iu dha statusi i kandidatit.
Lehtësuesi i dialogut, Robert Cooper, është kthyer në Bruksel pas një takimi të gjatë të martën me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Pala kosovare i ka dhënë disa ide shtesë për përmbajtjen e fusnotës, që do të mbajë Kosova në nismat dhe takimet rajonale.