Dy studente të Shkollës së Lartë (akademisë) të Arteve të Cyrihut ZHDK janë shpërblyer me çmimin “Online Media Rising Star” në kuadrin e festivalit “Prix Europa”. Çmimin e kanë marrë Arzije Hasani dhe Céline Stettler për një seri dokumentare që kishte për temë aktivizmin në fushën e barazisë gjinore në Kosovë, shkruan persönlich.ch.
Fjala është për punimin e përbashkët të diplomës “Çohu – Steh auf!” të dy absolventeve të përmendura të degës së dizajnit në ZHDK, transmeton albinfo.ch. Arzije Asani, me prejardhje nga Kosova Lindore, ka studiuar në drejtimin Cast/Audiovisual Media, ndërsa Céline Stettler, në drejtimin “Trends & Identity”.
Të kujtojmë: “Prix Europa” është festivali më i madh trimedial në Evropë dhe njëherësh është një garë e prodhimeve nga fusha e televizionit, radios dhe mediave online. Konsiderohet si njëri ndër çmimet më të rëndësishme në fushë të mediave në Evropë.
Festivali mbështete nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian., Europian Broadcasting Union (EBU/UER) dhe European Alliance for Television and Culture /FATC).
“Çohu” është një seri vebi për aktivizmin gjinor në Kosovë. Feministja e zgjuar, Adelina dhe lideri i komunitetit të atjeshëm LGBTI, Lendi, luftojnë krah për krah kundër patriarkalizmit dhe për barazinë e të gjitha gjinive në Kosovë, përcjell albinfo.ch. Projekti është bashkëprodhuar nga Televizioni Zviceran SRF dhe është mbështetur financiarisht nga Fondi AVINA.
Aktualisht, “Çohu”, krahas projekteve të tjera të ZHDK-së, po merr pjesë në Bienalen B3 të Imazhit lëvizës që mbahet nga 15 deri më 20 tetor në kuadrin e Panairit të Librit në Frankfurt.