Në gjithë botën llogaritet se aktualisht rreth 45 milionë njerëz jetojnë si refugjatë, që domethënë se ndodhen në arrati, jashtë vendit të tyre. Me këtë shifër është arritur shkalla më e lartë e refugjatëve dhe të përndjekurve në 18 vitet e fundit, bën të ditur Komisariati i Lartë për Refugjatë i OKB-së, NHCR në raportin e tij vjetor.
Sipas këtij raporti vetëm në vitin 2012 7.6 milionë njerëz kanë ikur nga vendet e tyre. 55 për qind e të gjithë refugjatëve vijnë nga Afganistani, Iraku, Siria dhe Sudani.
Ndryshe nga gjendja e para rreth dhjete viteve, aktualisht më shumë refugjatë janë strehuar dhe jetojnë në vende të varfra se sa në ato të pasura. Ndërsa po sipas raportit të UNHCR-së, 46 për qind e numrit të gjithëmbarshëm të refugjatëve në botë janë nën moshën 18 vjeçare.