Në Universitetin prestigjioz të Friburgut në Zvicër, studiuesi shqiptar Burim Ramaj është shpallur doktor shkence me një temë që lidhet ngushtë me trashëgiminë juridike dhe kulturore shqiptare: “Pluralizmi juridik sipas kanunit shqiptar”, shkruan albinfo.ch.
Ceremonia solemne e mbajtur në ambientet e universitetit mblodhi familjarë, miq dhe profesorë, ndërsa mentori i punimit, Prof. Dr. René Pahd de Mortanges, vlerësoi lart kontributin shkencor të studimit, duke e cilësuar si një analizë të thellë mbi ndërthurjen e së drejtës zakonore shqiptare me sistemin juridik modern.
Në mesin e shtatë kandidatëve që morën titullin e doktorit të shkencave, Burim Ramaj spikati jo vetëm për vlerën akademike të temës, por edhe për mesazhin që ajo përcjell mbi ruajtjen e identitetit juridik dhe kulturor të shqiptarëve në kontekstin e integrimit evropian.
Në këtë ditë të rëndësishme, përkrah tij ishte edhe babai i tij, Marian Ramaj, i njohur për dashurinë dhe përkushtimin ndaj arsimit. Ai u shpreh krenar për arritjen e të birit, i cili në moshën vetëm dyvjeçare ishte larguar nga Kosova për një jetë të re në Zvicër, një histori që sot frymëzon shumë të rinj shqiptarë në diasporë.
Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë edhe poeti Musa Jupolli, mik i afërt i doktorit të ri, i cili e përshkroi këtë moment si një “fitore të dijes dhe përkushtimit shqiptar në mërgatë”.
Suksesi i Ramajt vjen në një periudhë kur gjithnjë e më shumë të rinj shqiptarë po dallohen në universitetet zvicerane. Ndër ta është edhe Doriela Grabocka (Dori) nga Korça, e cila pritet të marrë së shpejti titullin e doktoraturës në ETH Cyrih, një tjetër dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve në fushën e shkencës dhe kërkimit akademik. /Albinfo.ch

