Borxhi publik po rritet nga viti në vit. Borxhi publik në vitin 2016 arriti në 852.7 milionë euro, që tregon për një rritje vjetore prej 13.9 për qind.
“Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në rreth 14.5 për qind, nga 13.0 për qind sa ishte në vitin paraprak”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë, raporton “RTKlive”.
Gjithnjë sipas këtij raporti, kjo rritje e borxhit publik i atribuohet kryesisht rritjes së borxhit të brendshëm prej 26.8 për qind i cili ka arritur në 479.0 milionë euro, ndërkohë që borxhi i jashtëm publik ka shënuar një ngritje të lehtë prej 0.7 për qind duke arritur në 373.8 milionë euro, përcjell albinfo.ch.
“Pjesëmarrja e borxhit të jashtëm publik në gjithsej borxhin e brendshëm është zvogëluar në 43.8 për qind nga 59.6 për qind sa ishte në vitin 2015”, thuhet në raportin e BQK-së për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.