Bashkimi Evropian ia ka bërë të qartë Serbisë se rruga që po ndjek, duke ruajtur marrëdhënie të ngushta me Rusinë, nuk përputhet me aspiratat për integrime evropiane.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ia ka përcjellë këtë porosi Serbisë, duke thënë se nuk është rreshtuar si shumica e shteteve, transmeton Albinfo.ch.
Ai ka thënë se BE-ja i mirëpret zgjedhjet strategjike dhe të guximshme të disa shteteve që u përshtatën plotësisht me politikën e sanksioneve. Mirëpo, theksoi se u ka treguar atyre që nuk janë rreshtuar, e këtu e përmendi veçanërisht Serbinë, se mbajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë nuk është në përputhje me procesin e saj të anëtarësimit në BE.
“Është gjithashtu e dëmshme për interesin e vet kombëtar”, ka deklaruar Borrell në fund të takimit ministror.
Në këtë takim, në mes tjerash, është diskutuar edhe për influencën ruse në vendet e rajonit. Borrell ka thënë se Rusia po përpiqet të përmbysë rrugëtimin evropian të shteteve të rajonit.
Në takimin ministror u trajtua edhe procesi i normalizimit të marrëdhenieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast Borell porositi se duhet të marrin fund tensionet dhe provokimet e ndërsjella, e po ashtu duhet të ndërpritet atmosfera negative dhe mungesë e konstruktivitetit.
Ai ka theksuar se të jesh anëtar i BE-së, do të thotë të bashkëpunosh dhe të veprosh si fqinjë i mirë për të kapërcyer të gjitha vështirësitë e së kaluarës./Albinfo.ch