Shkëlzen Gashi gjithnjë e më shumë po ambientohet në kampionatin amerikan të futbollit, derisa golat për të nuk po ndalen, shkruan albinfo.ch.
Në sfidën dramatike të Colorado Rapids me Vancouver, ndeshje e mbyllur në barazim 3:3, sulmuesi i Kombëtares shqiptare arriti të shënojë dy herë, për ta çuar në shtatë numrin total të golave të shënuara prej tij në 21 ndeshje të zhvilluara në këtë sezon.
Shkëlzen Gashi e shënoi golin e tij të parë në këtë përballje me skuadrën kanadeze në minutën e 57-të, teksa ekzekutoi saktë një 11-metërsh për t’i dhënë kryesimin në 2:1 skuadrës së Colorados.
Ndërsa golin tjetër, Gashi e shënoi në minutën e 75-të, për t’i dhënë avantazhin e përkohshëm 3:2 skuadrës së tij, e cila renditet në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit të “Major League Soccer”, me 48 pikë, ndërkohë që në krye ndodhet skuadra e Dallasit, që e ka siguruar tashmë kualifikimin për në “play-off”.