Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur.
Në rrjetin social Twitter Bolton tha se është takuar me ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Miro Cerar, në Shtëpinë e Bardhë, ku u diskutua për çështjet e përbashkëta të sigurisë dhe ekonomisë, përcjell albinfo.ch.
“Unë e mirëprita ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Miro Cerar, në Shtëpinë e Bardhë sot. Si aleatë të NATO-s, ne diskutuam për interesat tona ekonomike dhe të sigurisë në Evropë si dhe nevojën që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur. Unë i vlerësova shumë qëndrimet e tij”, thuhet në Tweet-in e lëshuar nga Bolton.
Rundi i ri i bisedimeve në Bruksel, i nivelit të lartë të përfaqësimit, ende nuk është ftuar nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila e ndërmjetëson dhe lehtëson dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.