Komisioni për çështje juridike i Dhomës së Kantoneve të Parlamentit zviceran ka vendosur: Prokuroria e përgjithshme e Cyrihut mund të nisë hetimet kundër deputetit nacional Christoph Blocher.
Sipas komisionit në fjalë, Blocher nuk mund të mbështetet në imunitet prej deputeti, madje as për veprimet e tij të kryera në periudhën pas dhënies së betimit në parlament, në dhjetor të vitit 2011.
Shërbimet e parlamentit thonë se kundër këtij vendimi të komisionit, Blocheri nuk ka të drejtë ankese.
Prokuroria e Cyrihut dyshon se deputeti Blocher është kujdesur që revistës “Weltwoche” t`i dërgoheshin dokumentet bankare të ish drejtorit të Bankës Nacionale të Zvicrës, Hildebrand dhe të bashkëshortes së këtij të fundit. Dhe ky veprim mund të kualifikohet si cenim i sekretit bankar.