Një lajm që fillimisht ka dalë si postim në FB të ministrit të Jashtëm në detyrë, Bexhet Pacolli, ka pasur një shpërndarje të madhe, duke zënë vend ndër kryelajmet e pothuaj të gjitha medieve shqiptare në Kosovë e më gjerë. Në një tekst fare të shkurtër dhe gjysmak, njoftohej se Blerta Hoti, shqiptare me prejardhje nga Kosova, që jeton në Suedi, ishte zgjedhur kryetare e Komunës së Göteborg-ut, qytetit të dytë më të madh të Suedisë.
Por, me gjithë se suksesi i Blerta Hotit nuk kontestohet në asnjë mënyrë, e vërteta është pak më ndryshe. Siç merr vesh albinfo.ch nga një burim i saj që është aktiv në politikën suedeze dhe në rrjedha me çështjen, Blerta Hoti është zgjedhur anëtare e Qeverisë Komunale dhe njëherësh nënkryetare e Komunës së Göteborg-ut dhe jo kryetare.
Lajmin se është zgjedhur kryetare e ka përgënjeshtruar edhe vetë e përmendura, në një postim në fb: 
Ndryshe, Blerta Hoti është politikane e Partisë Socialdemokrate dhe, ndonëse në moshë të re, ka pas vetes një karrierë në politikë. Ajo, në postin më të ri vjen nga posti i këshilltares politike në Ministrinë e Mbrojtjes të Suedisë, shkruan albinfo.ch. Ndërsa para kësaj, nga viti 2015 ka qenë këshilltare politike në Parlamentin Evropian.