Vlera e investimeve të huaja direkte në Kosovë ka rënë për 22 milionë euro gjatë tre mujorit të parë të këtij vitit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013. Në tre muajt e parë të vitit të kaluar investimeve të huaja kanë arritur në 60 milionë euro, kurse sivjet ato kanë mbetur në 38 milionë euro.
Trendi i tyre mund të ndryshojë gjatë pjesës tjetër të vitit, thotë Gëzim Gjikolli, drejtor i Drejtorisë për Promovimin e sektorit privat në ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
“Kjo është e zakonshme edhe në vendet tjera të botës, ngase investimet varësisht nga disponimi i investitorëve në disa muaj e sidomos në periudha kaq të shkurtra, mund të oscilojnë. Mirëpo nuk do të thotë se trendi i investimeve është në rënie”, citoi RK, Gjikollin.
Sipas tij, vakuumi institucional nuk i brengos dhe nuk ndikon fare tek investitorët e huaj.
“Investitorët më shumë i shqetësojnë trazirat, por assesi një qeveri në themelim, nuk i shqetëson fare. Ne investitorët jemi duke i pritur çdo ditë në institucionet tona dhe asnjëherë nuk më ka rastis që këto javët e fundit ata ta shprehin këtë si brengë”, thekson ai.
Por përfaqësuesit e Institutit Riinvest thotë se gjendja aktuale mund të ndikojë në aspektin e investimeve të huaja.
“Mendoj se nuk është mirë për sinjalet që dërgojmë jashtë dhe për pasojë nuk pritet ndonjë përmirësim i madh në tërheqjen e investimeve. Mendoj që ky vakuum real institucional do të dobësojë atraktivitetin e Kosovës në tërheqjen e investimeve të jashtme”, thekson , Alban Hashani nga ky institut.
Hashani thotë se Kosova nuk ka mjedis shumë miqësor për tërheqjen e investimeve të huaja, pasi ka barriera të shumta.
“Ka një mjedis ku mbizotëron korrupsioni, informaliteti, evazioni fiskal, konkurrenca e pandershme, por edhe probleme që lidhen me infrastrukturën, problemet me shkathtësitë e punëtorëve e kështu me radhë”, shton ai.
Ndryshe, investimet e huaja të drejtpërdrejta kishin pësuar rënie prej vitit 2008 deri në vitin 2012, kurse gjatë vitit 2013, vlera e tyre arriti në rreth 260 milionë, me një rritje prej 13 për qind krahasuar me vitin 2012.